Kirby dhe Gashiq të enjten në Bujanoc në përfundimin e "Asistencës humanitare"
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd Michael D. Kirby dhe ministri i Mbrojtjes Bratisllav Gashiq, të enjten do të marrin pjesë në përfundimin e punimeve të renovimit të dy objekteve arsimore në Bujanoc, i realizuar në bashkëpunim të Gardës së Ohajos dhe Ushtrisë së Serbisë.Gardistët amerikan dhe ushtarët serb në njëzet ditët e kaluara, në kuadër të projektit “Asistenca humanitare”, së bashku kanë punuar në rekonstruimin e shkollës së muzikës dhe kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë”.
Projekti është realizuar në bashkëpunim të 40 pjesëtarëve të Gardës së Ohajos së SHBA-së dhe po aq të Ushtrisë së Serbisë të cilët janë ndihmuar nga kompanitë lokale, njofton Ministria e Mbrojtjes.
“Ky projekt është edhe një shembull i partneritetit dhe lidhjeve të forta që ekzistojnë në mes të Gardës kombëtare të Ohajos dhe Ushtrisë së Serbisë”, thuhet në kumtesë, transmeton Titulli.com.
Gjithashtu theksohet se “me këtë konfirmohet përkushtimi i Qeverisë së SHBA-së për të punuar së bashku me partnerët në Serbi, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve të Serbisë”.
Komanda Evropiane e forcave të armatosura të SHBA-së përmes Zyrës për bashkëpunim ushtarak të Ambasadës së SHBA-së ka investuar më shumë se 130 mijë dollarë në renovimin e këtyre dy objekteve.
Kirby dhe Gashiq gjatë qëndrimit në Bujanoc do të bisedojnë edhe me kryetarin e kësaj komune, Nagip Arifin, theksohet në kumtesë.
Projekti “Asistenca humanitare” nënkupton angazhim të përbashkët të pjesëtarëve të Gardës së Ohajos dhe Ushtrisë së Serbisë në ndërtimin e shkollave, kopshteve, rregullimin e këndeve të lojrave për fëmijë... /Titulli.com/